Pasi u diagnostikova me skoliozë (30° fillestare) gjatë një ekzaminimi të rregullt sistematik në moshën 10-vjeçare, u bë pjesë e pandashme dhe kyç e jetës sime deri më sot. Kjo marrëdhënie e pandashme e jona, veçanërisht periudha e gjatë, e vazhdueshme dhe e mundimshme e trajtimit dhe e rehabilitimit, që fillimisht nënkuptonte veshjen e një gjipsi dhe më pas një korse 24/7, të kombinuar me terapi fizike – një proces 10-vjeçar, është një nga përvojat më transformuese dhe më të rëndësishme në biografinë time personale.
Ky udhëtim më solli shumë ndryshime pasi gjendja e shtyllës kurrizore ndryshoi, ndërsa rritesha dhe zhvillohesha, ndërkaq jehonën e saj e ndiej edhe sot. Përballja me skoliozën më dha shumë ulje-ngritje, pasiguri, gara me kohën, tejkalim të vetvetes dhe triumfe, të cilat hodhën themelet e këmbënguljes, rezistencës dhe karakterit tim të fortë njerëzor.
Unë isha një fëmijë jashtëzakonisht aktiv dhe i fortë, kështu që fakti që kam një deformim dhe bashkë me të, trajtimin që fjalë për fjalë nënkuptonte blindimin e dhimbshëm ditë-e-natë të trupit tim në një korse korrigjuese, për të arritur drejtimin maksimal të shtyllës kurrizore, paraqiste tronditje dhe zhgënjim të madh, që më vonë u kthyen në pranim të realitetit dhe veprim luftarak për përmirësimin e gjendjes sime. Përgjatë gjithë viteve, pavarësisht agonisë, kam qenë tepër e disiplinuar në ndjekjen e udhëzimeve të mjekëve (veçanërisht nga ortopedja ime fantastike, dr. Albena, e cila ka ndjekur zhvillimin tim ndër vite), duke veshur ortozat e bërë nga Sllaveji, duke praktikuar ushtrime fizike dhe të gjitha metodat e tjera ndihmëse përcjellëse. I gjithë ky sistem mbështetës (përfshirë prindërit dhe mësuesit e mi), për shkak të natyrës së paparashikueshme të skoliozës, padyshim që më shpëtoi për pak nga operacioni në shtyllën kurrizore (kur shtrembërimi arriti në 39°) dhe më lejoi të vazhdoj një jetë normale, pa dhimbje dhe pasoja afatgjata, me korrigjimin sa më të mirë sipas qasjes terapeutike.
E mbaj mend periudhën e adoleshencës si veçanërisht interesante dhe dramatike, kryesisht për shkak të cenueshmërisë emocionale dhe sociale që sjellin ato vite. As atëherë nuk e lashë “ndryshimin” të lëkundte vendosmërinë time për të përballuar sfidën që më ishte vënë përpara. Kur përqendroheni dhe investoni në shëndetin tuaj, të gjitha ndikimet e tjera të pakëndshme nga mjedisi bëhen vetëm një imazh sfondi dhe zhduken.
Në atë kohë, ndërsa isha gjimnaziste dhe “vajza e skoliozës” që vishte me këmbëngulje çdo ditë një korse, pata fatin të zbuloja dashurinë për ngjitjen sportive dhe shkëmbinjtë natyralë. Ai pasion më hapi horizonte të reja. Kuptova që të jetosh me skoliozën nuk është thjesht një rrugë njëkahëshe, nuk është një kufizim dhe një person nuk përcaktohet vetëm nga skolioza. Kam shënuar suksese të shkëlqyera në procesin edukativo-arsimor dhe në të njëjtën kohë jam trajnuar për ngjitjen sportive thuajse në mënyrë profesionale për kushtet e kohës, kështu që me rezultate fantastike në garat ndërkombëtare dhe kombëtare, kam arritur të regjistrohem zyrtarisht si e para femër pioniere në historinë e ngjitje sportive konkurruese maqedonase. Sporti më ka ndihmuar të thyej dhe të shtyj kufijtë e aftësive të mia dhe është bërë partneri më i mirë i skoliozës sime.
Vetëpranimi u rrit më tej dhe unë kisha një hapësirë të madhe ku mund të kanalizoja shqetësimet, pritshmëritë dhe synimet e mia për veten time.
Sot, kur koha e rritjes së fortë dhe e trajtimit është shumë prapa meje, vazhdoj në vitet e mia të pjekurisë të bëj një jetë normale, të shëndetshme dhe aktive me një skoliozë ende të pranishme, por pothuajse të padukshme dhe një dashuri të madhe për ngjitjen si një hobi i preferuar i herëpashershëm.