Tanja Jordeva ka diabet për më shumë se 40 vjet. Jeta e saj ndryshoi kur nga një plagë e thjeshtë, ra në gjendje kome dhe më pas këmba e majtë iu amputua mbi gju. Por, pavarësisht gjithçkaje që ka kaluar, ajo nuk dorëzohet dhe nuk ndalet. Ajo jeton me besimin se nëse keni dëshirën dhe vullnetin, gjithçka është e mundur. Në vazhdim ajo na rrëfen jetën e saj pas amputimit.
Ju keni pasur një amputim 8 vjet më parë. Si ndodhi, cila ishte arsyeja?
Unë isha 43 vjeçe, e punësuar dhe aktive, me dy fëmijë të vegjël. Më 8 tetor 2015 u përplasa dhe mora një plagë në këmbë. Plaga u shfaq si pasojë e shputës diabetike, ndërlikimi më i shpeshtë te diabetikët. Pas një jave mu shfaq sepsa dhe rashë në koma. Isha në gjendje shumë kritike. Pas katër ditësh të kaluara në koma, për fat arrita të luftoj dhe të zgjohem. Por, të njëjtën ditë më duhej të shkoja për operacion.
Pasi u zgjuat, mjekët ju thanë se ishte e nevojshme të të bëhej një amputim. Si e pranuat operacionin?
Kur doktori më tha që duhet të shkoja në operacion, thashë që nuk është problem, çfarë duhet bërë, do ta bëj. Më operuan gjatë natës dhe më çuan në repart. Kur më zbritën në dhomën time, gjëja e parë që bëra ishte ndezja e televizorit. Kur mjeku hyri për të më parë, ai u trondit që isha e qetë dhe po dëgjoja muzikë. Por kjo është jeta, askush nuk dëshiron që kjo t'u ndodhë, por ne po ecim përpara. Unë gjithmonë them, faleminderit Zotit që u zgjova dhe që jam gjallë.
Pas operacionit, ka një periudhë rehabilitimi. Si e keni kaluar këtë periudhë, keni pasur vështirësi për t'u mësuar me situatën e re?
Në fillim duhet të them se baza për të pranuar situatën është shtëpia. Isha e re kur më prenë, të gjithë vraponin rreth meje, u kujdesën për mua derisa një ditë thashë mjaft. Më duhet të vazhdoj dhe fillova të lëviz vetë. Pas disa muajsh, shkova në rehabilitim në Klinikën e Mjekësisë Fizike dhe të Rehabilitimit. Nuk kam fjalë se sa mund dhanë e sa më ndihmuan dr. Velika Llabaçevska dhe dr. Cvetanka Saveska.
Kur mbarove rehabilitimin, hapi tjetër ishte Sllaveji. Si ishte përvoja kur erdhët për herë të parë?
Kur erdha në Sllavej, u tremba, nuk e dija se çfarë më priste. Më thanë se do të vinte Marija Stanishevska. Kur pashë Marinë, sikur më zbardhi dita, më pushtoi pozitiviteti i saj. Nuk do ta harroj kurrë ditën e parë në Sllavej. U njoha me Petarin nga Ohri, i cili gjithashtu ishte i amputuar, më i ri se unë dhe me protezë. Ai ecte pa paterica (fturza) dhe kishte një fëmijë të vogël. U gjunjëzua pa problem dhe e mori në krahë fëmijën. Dhe kur më tha që po bënte ski uji, thashë me vete se edhe për mua ka jetë.
Cili është mesazhi juaj për këdo që përballet me një amputim?
Ai që nuk dëshiron të ecë, nuk do të ketë sukses. Sado që të përpiqet protezisti, nëse pacienti nuk ka dëshirë dhe vullnet, nuk do t'ia dalë. Nuk kemi faj që nuk kemi këmbë dhe askush nuk do të na ndihmojë nëse nuk duam. Nëse pacienti nuk bashkëpunon me protezën, gjithçka është e kotë.
I thashë vetes se duhet të iki. Falë Marisë dhe Sllavejit, unë e jetoj jetën në maksimum. Ngrihem në pesë të mëngjesit, vendos protezën dhe e heq në nëntë të mbrëmjes, kur shkoj në shtrat. Jam aktive gjatë gjithë ditës, si në shtëpi ashtu edhe jashtë. Unë pastroj, blej, eci, drejtoj një makinë vetë. Unë gjithmonë e parkoj makinën dy kate më poshtë për të ngjitur shkallët. Unë e përdor shumë rrallë ashensorin. Nëse nuk do të ishte Marija, nuk do të kisha arritur asnjë nga këto. Ajo është shkëndija ime e lumturisë.